Botë

Forcat e Asadit vrasin 54 civilë në Guta Lindore

Guta Lindore/Idlib, 9 shkurt - Pesëdhjetë e katër civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të sotme ajrore të regjimit të Bashar Asadit në rajonin e rrethuar të Gutës Lindore në afërsi të kryeqytetit sirian Damask.

Gazetarët e AA-së në Gutën Lindore njoftojnë se regjimi i Asadit është duke kryer sulme intensive ajrore në rajon që nga orët e mëngjesit.

Sipas të dhënave të siguruara nga burimet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), 19 civilë kanë humbur jetën në vendbanimin Arbin, 17 në Xhisrin, dy në Zemalka, tre në Sakba, tre në Misraba, një në Beit Sava, një në Medjere, një në Hizze dhe shtatë në Hamurije.

Ekipet e mbrojtjes civile janë duke i vazhduar aktivitetet e kërkim-shpëtimit, ndërkohë që theksojnë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Që nga 29 dhjetori i vitit 2017, kur regjimi intensifikoi sulmet në rajon, e deri më tani, numri i të vdekurve ka shkuar në 503, kurse ai i të plagosurve në afër dy mijë.

Guta Lindore, rajon i kontrolluar nga opozitarët, ndodhet vetëm dhjetë kilometra larg qendrës së Damaskut, kryeqytetit sirian të kontrolluar nga regjimi i Asadit.

Rajoni prej 104 kilometrash katrorë në lindje të Damaskut është bërë skenë e katastrofës më të madhe të luftës civile. Rreth 400 mijë civilë, prej të cilëve gjysma fëmijë, prej pesë vitesh jetojnë nën rrethimin e regjimit, duke u përballur me kequshqyerje, mungesë barnash dhe sulme intensive.

Turqia, Rusia dhe Irani në takimin e mbajtur në Astana më 3 dhe 4 maj të vitit 2017 e shpallën Gutën Lindore si një prej "zonave jokonfliktuale". Garantuesi i regjimit, Rusia, më 22 korrik shpalli hyrjen në fuqi të armëpushimit. Megjithatë, sulmet vazhduan, ndërsa më 29 dhjetor të vitit 2017 u intensifikuan.

Qindra civilë të sëmurë presin të evakuohen urgjentisht nga rajoni në të cilin kriza humanitare është thelluar. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose persona që vuajnë nga kanceri në fazë të avancuar. Shumë foshnja dhe fëmijë në Gutën Lindore kanë humbur luftën për mbijetesë për shkak të urisë dhe mungesës së barnave.