Botë

Stoltenberg: Ftesa e NATO-s për Maqedoninë pas zgjidhjes së çështjes së emrit

Shkup, 31 janar – NATO do t’i dërgojë ftesë Maqedonisë për anëtarësim në Aleancën Atlantike pas vendimit të dakorduar për kontestin për emrin, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg për të përditshmen serbe “Politika”, transmeton ATSH.

Ai u përqendrua tek vizita e tij në Shkup dhe në aspiratat për anëtarësimin në NATO, pasi foli për gjendjen e sigurisë në botë dhe në Ballkan.

” Aleanca mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Maqedonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe dëshirojmë që vendi të ketë sukses në këtë drejtim”, theksoi ai duke shtuar se ekziston impuls pozitiv për çështjen e emrit.

“Jam i lumtur që kam vizituar Shkupin këtë muaj. Mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe dëshirojmë që të ketë sukses në këtë drejtim”, theksoi ai.

“Aleatët pranuan që NATO të dërgonte ftesë për anëtarësim në Aleancë pas zgjidhjes së dakorduar bashkarisht për çështjen e emrit në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Edhe para ca kohësh pamë impuls pozitiv për çështjen e emrit”, nënvizoi Stoltenberg.

Stoltenberg theksoi se angazhimi i qeverisë për reformat është gjithashtu i rëndësishëm për NATO-n.

“Gjatë vizitës time, e inkurajova qeverinë për të vazhduar me zbatimin e reformave të cilat do ta përforcojnë qeverisjen e së drejtës dhe institucionet demokratike. Gjithashtu i kam inkurajuar të gjitha partitë politike dhe palët e tjera të perfshira në vend që të vazhdojnë dialogun e hapur dhe konstruktiv”, theksoi Stoltenberg.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sekretari i përgjithshëm i NATO-s konstatoi se ky është rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.

“Mbetemi tërësisht të angazhuar, ndërsa kjo ndihmon në promovimin e stabilitetit në rajon. Ne e shohim të ardhmen e rajonit në bashkëpunimin euroatlantik dhe në integrimin e atyre të cilët e duan këtë gjë. Çdo popull ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e tij dhe të zgjedhë masa politike dhe të sigurisë. Ky është parim kryesor i sigurisë evropiane, ky është parim të cilin Rusia gjithashtu e nënshkroi edhe duhet ta respektojë”, nënvizoi Stoltenberg.

Sipas Stoltenberg NATO është e përkushtuar në përforcimin e partneritetit me Serbinë, duke e respektuar në tërësi politikën e saj të neutralitetit.