Botë

SHBA i kërkon Turqisë maturi në ofensivën ndaj kurdëve

Xhakarta, 23 janar – SHBA-ja shpreson që Turqia të tregohet e përmbajtur në ofensivën kundër luftëtarëve kurdë në enklavën e Afrinit (veriperëndim të Sirisë), deklaroi të martën në Xhakarta, ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis.

“Ne i marrim shumë seriozisht shqetësimet legjitime për sigurinë e Turqisë”, deklaroi Mattis për gazetarët që e shoqërojnë në një tur në Azi.

“Por, dhuna në Afrin po trazon atë që deri tani ishte një zonë relativisht stabël”, vazhdoi ai.

“Ne i kërkojmë Turqisë të tregohet e matur në operacionet e saj ushtarake ashtu si edhe në retorikën e saj dhe të garantojë që operacionet e saj të jenë të limituara, në madhësi dhe kohë”, shtoi sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Ankaraja i konsideron këto milici si degëzimi sirian i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që i cilëson si terroristë dhe që po zhvillojnë një rebelim në juglindje të Turqisë që prej më shumë se 30 vitesh.