Botë

Pence arriti në Izrael, bisedoi me Netanyahun

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, sot ka arritur në Izrael, ndërsa gjatë takimit me kryeministrin, Benjamin Netanyahu, tha se është nder “për të qenë në kryeqytetin e Izraelit, Jerusalem”.

Netanyahu e ka falënderuar zotin Pence për njohjen “historike” të Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit, nga ana e presidentit amerikan, Donald Trump.

Zoti Netanyahu tha se aleanca amerikano-izraelite “asnjëherë nuk ka qenë më e fortë”.

Vizita e zëvendëspresidentit, Mike Pence, në Jerusalem, është pjesë e turneut të tij rajonal, me ç’rast e ka vizituar Egjiptin dhe Jordaninë.

Njohja e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit i ka zemëruar pa masë palestinezët, të cilët Jerusalemin Lindor e konsiderojnë kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Nuk pritet që zoti Pence të takohet me zyrtarët palestinezë gjatë qëndrimit të tij në rajon.