Botë

Stuhia ”Friederike” mori 10 jetë në Europë

Descriptive Text

Një stuhi e fortë që ka përfshirë gjithë Evropën, me një shpejtësi deri në 200 kilometra në orë, besohet se mund të ketë shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave dje në katër vende, duke çuar në ndërprerjen dhe më pas pezullimin e shërbimeve të transportit.

Sipas raporteve të fundit, vdekjet janë regjistruar në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Gjermani.

Holanda dhe Gjermania kanë ndërprerë dje një pjesë të rëndësishme të shërbimeve të transportit me tren si pasojë e përkeqësimit të kushteve në vend.

Gjithashtu, një pjesë e madhe e aeroporteve kanë pezulluar fluturimet e tyre mes shqetësimeve për sigurinë e pasagjerëve.

Megjithatë, vetëm disa orë më pas, situata në perëndim të vendit u përmirësua.

Megjithatë, zyrtarët e shërbimit meteorologjik paralajmëruan për goditje të vazhdueshme të stuhisë “Friederike”, me potencial të rrezikshëm.

Erërat kanë vazhduar me një shpejtësi prej 85 kilometra në orë, edhe pas përmirësimit të tyre në perëndim, ndërkohë që sipas parashikimeve pritet një stuhi e fuqishme në Gjermaninë Lindore, gjatë natës.

Erërat kanë qenë me një shpejtësi mesatare deri në 130 kilometra në orë, ndërsa në Gjermaninë Perëndimore ato kanë arritur në 203 kilometra në orë.