Botë

SHBA-ja po përgatitet për një luftë të mundshme me Korenë e Veriut

Ushtria amerikane po përgatitet shumë seriozisht për një luftë të mundshme me Korenë e Veriut, theksoi sot një kongresmen republikan, duke shpresuar që këto përgatitje të mos vihen në praktikë.

“Administrata po shqyrton shumë seriozisht mundësitë ushtarake që mund të hyjnë në lojë përsa i përket Koresë së Veriut”, deklaroi për media Mac Thornberry, i cili drejton Komisionin e forcave të armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Trajnimet janë shumë serioze”, theksoi ai duke shtuar se ushtarakët po bëjnë përgatitje dhe shpresoj se nuk do të jenë të nevojshme.

Ministri amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis këmbënguli disa herë mbi faktin se përpjekjet në kuadër të zgjidhjes së krizës koreano-veriore duhet të ishin diplomatike duke shtuar se Pentagoni do të vazhdojë të përgatitet për çdo eventualitet.

Tensionet me Phenianin janë përkeqësuar pas rritjes vitin e kaluar të lëshimit të raketave balistike koreano-veriore të afta për të mbajtur një kokë bërthamore dhe për të arritur tokën amerikane.

Shenjë që tensionet mbeten të larta, një alarm i rremë ka shkaktuar panik në arkipelagun e Hawait, kur banorët kanë marrë një mesazh që i lajmëronte se territori ishte vënë në shënjestër të një rakete balistike dhe u kërkonte atyre të strehoheshin.

SHBA-ja dhe aleatët e tyre u mblodhën sot në Vankuver për të ashpërsuar sanksionet kundër Phenianit, një takim pa Kinën, pa Rusinë.