Panik në Japoni për peshkun vdekjeprurës

Panik në Japoni për peshkun vdekjeprurës

16 janar 2018 15:18

Paniku ka përfshirë autoritetet e qytetit Gamagori në Japoni, të cilët u detyruan të japin alarmin e t’u kërkojnë njerëzve të mos konsumojnë peshkun “fugu”, pas shitjes gabimisht të një serie ndoshta vdekjeprurëse të tij, transmeton TCH raportimin e medieve të atjeshme.

Një supermarket i qytetit shiti 5 arka me këtë lloj peshku, pa i hequr më parë mëlçinë, e cila përmban një helm më të fortë sesa cianuri. Tri arka janë gjetur e kthyer mbrapsht, por dy të tjera mungojnë.

“Fugu” ka një mish tepër të shijshëm e konsiderohet një delikatesë e kuzhinës vendase, por edhe gabimi më i vogël në përgatitjen e tij mund të rezultojë fatal.

Në Japoni raportohen çdo vit raste helmimi nga ky lloj peshku, edhe pse nuk janë të gjitha vdekjeprurëse.

“Fugu”, një pjatë shumë e shtrenjtë e sezonit të dimrit, konsumohet i gjallë e i marinuar ose përdoret në supë. Por mëlçia e tij, vezët dhe lëkura kanë nivele të larta të helmit “tetrodotoksin”, ndaj për ta përgatitur siç duhet nevojitet trajnim i posaçëm dhe licencë.

Ndaj helmimit të “fugu”-t nuk ka asnjë kundërhelm. “Tetrodotoksina” prek drejtpërdrejt sistemin nervor dhe efektet e saj përshkruhen si të shpejta e të dhunshme, duke sjellë fillimisht mpirjen e gojës, pastaj paralizimin e trupit, e në fund ndodh që edhe vdekjen.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme