Botë

Bangladeshi do të kthejë në Mianmar nga 1,500 Rohingya në javë

Descriptive Text

Bangladeshi tha se është pajtuar rreth një afati kohor me Mianmarin për riatdhesimin e qindra-mijëra myslimanëve Rohingya, që kanë ikur nga represioni i ushtrisë, vitin e kaluar.

Mianmari ra dakord që të pranojë 1,500 Rohingya çdo javë, thanë autoritetet në Bangladesh, duke shtuar se qëllim i tyre është t’i kthejnë të gjithë brenda dy vjetësh.

Mbi 650,000 Rohingya kanë ikur në Bangladeshin fqinj prejse ka shpërthyer dhuna në rajonin Rakhine në muajin gusht.

Agjencitë e ndihmës kanë ngritur shqetësimet rreth riatdhesimit me forcë të tyre.

Një zëdhënës i Komisionit për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara tha se Mianmari, që ndryshe njihet edhe si Birmani, duhet t’i adresojë shkaqet themelore të krizës dhe se refugjatët duhet të kthehen vetëm kur të ndjehen të sigurt.

Sipas agjencisë Reuters, marrëveshja nuk e specifikon se kur do të nisë procesi i riatdhesimit, por thotë se Mianmari do të ofrojë strehim të përkohshëm për të kthyerit dhe më vonë do të ndërtojë shtëpi për ta.