Botë

Turqia i dënon planet për krijimin e ushtrisë kurde

Fuqitë kyçe, të përfshira në luftën civile të Sirisë, kanë kritikuar SHBA-në për ndihmën që i ka ofruar një milicie, të udhëhequr nga kurdët, për të formuar një “forcë kufitare të sigurisë” prej 30,000 vetash.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u zotua se “do t’i mbytë” përpjekjet për të trajnuar Forcën Demorkatike Siriane dhe për të krijuar, siç ka thënë ai, “ushtrinë terroriste”.

Turqia i konsideron luftëtarët kurdë si terroristë.

Qeveria e Sirisë kritikoi, siç tha ajo, “sulmin e hapur” mbi sovranitetin e saj, ndërsa Rusia tha se një gjë e tillë mund të çojë në ndarje.

Me ndihmën e SHBA-së, Forca Demokratike Siriane ka marrë nën kontroll dhjetëra-mijëra kilometra katrorë të territorit nga militantët e Shtetit Islamik.

Në muajin tetor, aleanca ka marrë kontrollin e plotë të qytetit Raka, kryeqytetit de facto të kalifatit që ka shpallur grupi xhihadist në vitin 2014.

Qysh atëherë, Forca Demokratike Siriane ka avancuar drejt jugut, përgjatë anës lindore të luginës së Lumit Eufrat.

Të shtunën, një zëdhënës i koalicionit shumëkombësh kundër Shtetit Islamik ka konfirmuar se ky koalicion, që udhëhiqet nga SHBA-ja, është duke punuar me Forcën Demokratike Siriane për të krijuar dhe trajnuar një forcë të re të sigurisë kufitare.