Botë

Në Gjermani, strehimoret e azilit po qëndrojnë bosh – po dyshohet në shpërdorim të parasë

Fluksi i refugjatëve në Gjermani është bërë më i vogël. Rreth 90.000 azilkërkues shkuan në gjysmën e parë të vitit 2017. Autoritetet llogarisin me një shifër të njëjtë edhe në gjysmën e dytë të vitit.

Krahasuar me vitet e kaluara shifrat janë ulur, por kjo nuk reflektohet në kostot e shpenzimeve të komunave gjermane. Arsyeja: Shumë strehimore azili ndërkohë po qëndrojnë bosh, por ato u kushtojnë komunave ende shumë para, sepse për pasuritë e paluajtshme u negociuan kontrata disavjeçare të qirasë, raporton DW.

Sipas një sondazhi të radios gjermane, WDR në landin e Rinit Verior- Vestfalisë, në landin me numrin më të madh të popullsisë, janë bosh një e treta e këtyre strehimoreve. Sipas përllogaritjeve, vetëm në një qytet prej 250.000 banorësh, si Mönchen-Gladbach, kjo shumë shpenzimesh për qira, shërbimin e sigurisë, rrymën, ngrohjen e riparimet kap shifrën e 10 milionë eurove.

Në kohën e krizës së refugjatëve qyteti mundësoi në kohë rekord 2300 vende për refugjatët, por deri në dhjetor aty kanë mbërritur jo më shumë se 750 vetë. Vetëm në qytete si Berlini, Hamburgu e Bremeni strehimoret mbushen, landet e tjera njoftojnë se strehimoret po mbeten bosh.

Përshtatja e shumës së shpenzimeve për kokë

Qytetet dhe komunat kanë lëshuar alarm. Çdo qytet në Rin Verior-Vestfali merr për pranimin e një refugjati një shumë të përgjithshme prej 10.400 eurosh në vit. Nëse vijnë më pak refugjatë, atëherë këto të ardhura mungojnë.

Andreas Wohland nga Lidhja e Qyteteve e Komunave të Renani-Vestfalisë kërkon që komunat të ndihmohen. “Ne kërkojmë që të bëhet përshtatja e shumës së përgjithshme të shpenzimeve për frymë”. Këto shpenzime të larta përbëjnë më shumë rrezik për bashkitë me deficite buxhetore.

Provizore apo e vazhdueshme?

Megjithëse numri i refugjatëve mbetet i ulët, komunat i presin sfida të mëdha. Për shembull në Dyseldorf. Aty bashkia ka filluar që strehimoret e përkohshme t'i kthejë në apartamente banimi afatgjatë.

Vërtet që numri i refugjatëve ka rënë, por në qytet është rritur një shifër tjetër. Në vitin 2018, Dyseldorfi duhet të kujdeset për 5000 vetë, që pas largimit nga vendlindja do të qëndrojnë në Gjermani, por që nuk gjejnë dot apartamente me çmim të arsyeshëm.

Problemi është se me ligj azilkërkuesit nuk lejohen të largohen drejt zonave më rurale e me çmime më të leverdishme. Një fenomen që shihet edhe në Berlin. Aty është vazhdimisht i lartë numri i refugjatëve.

25.700 refugjatë jetojnë aktualisht në Berlin. Aty nuk ka strehimore bosh, në Berlin ato do të mbusheshin shpejt, edhe në rast të tillë.