Malta, shteti turistik në Mesdhe

Malta, shteti turistik në Mesdhe

17 shkurt 2017 09:46

Malta, shteti ishull çdo vit pret turistë mesatarisht katër herë më shumë se popullsia e saj, ndërkohë që, siç shkruan AA, bën pjesë edhe si një nga preferencat kryesore në Evropë për personat që dëshirojnë të mësojnë gjuhën angleze.

Malta gjendet në Evropën Jugore dhe në mes të Detit Mesdhe dhe përbëhet nga tre ishuj të mëdhenj dhe dy të vegjël.

Kryeqyteti i vendit, Valetta, mban epitetin si kryeqyteti më i vogël në Bashkimin Evropian (BE). Me sipërfaqe prej gjithsej 316 kilometrash katrorë, Malta ka popullsi prej afërsisht 420 mijë banorësh.

Maltezët përbëjnë 96 për qind të popullatës së ishullit. Pas maltezëve radhiten anglezët me 2.4 për qind si grupi i huaj i dytë më i madh. Krahas gjuhës malteze, në këtë shtet flitet edhe gjuha angleze.

Më 1814, Malta hyri nën sundimin britanik, kurse në vitin 1964 fitoi pavarësinë dhe më 1974 u shpall republikë. Vendi qeveriset me sistem parlamentar. Presidente e Maltës është Marie Louise Coleiro Preca, kurse kryeministër Joseph Muscat.

Malta u bë anëtarë e BE-së më 1 maj të vitit 2004, pas negociatave për anëtarësim që kishin filluar në vitin 2000. Nga 1 janari i vitit 2017, Malta mori presidencën gjashtëmujore me rotacion të Këshillit Evropian. Megjithatë, Malta nuk është anëtare e aleancës së NATO-s.

Turizmi përbën 35 për qind të të ardhurave të vendit

Duke qenë shtet ishull në qendër të Mesdheut, Malta çdo vit vizitohet nga turistë të shumtë nga rajone të ndryshme të botës.

Shteti pret turistë në baza vjetore afërsisht katër herë më shumë se numri i popullsisë së saj, ndërkohë që turizmi përbën 35 përqind të të ardhurave të vendit. Në vitin 2015 numri i turistëve që vizituan Maltën ishte 1.8 milionë.

Krahas turizmit, pjesë e lokomotivës ekonomike të vendit janë edhe transporti detar, transporti tranzitor, financat dhe sigurimi detar.

Ndërkaq, 74 për qind e ekonomisë së vendit përbëhet nga sektori i shërbimeve, 23 për qind nga industria, kurse bujqësia merr pjesë me tre për qind.

Një tipar tjetër i vendit është se ai gjendet në mesin e preferencave më të rëndësishme në Evropë të atyre që duan ta mësojnë gjuhën angleze.

Marrëdhëniet Maltë-Turqi

Marrëdhëniet diplomatike midis Turqisë dhe Maltës janë krijuar në vitin 1967. Ambasada e Turqisë në Valetta ka filluar aktivitetet më 8 tetor të vitit 2009. Nga ana tjetër, kryekonsullata e Maltës në Stamboll ka filluar më punë më 14 prill të vitit 2009.

Marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve zhvillohen në korniza të Këshillit të Biznesit Turqi-Maltë të themeluar në vitin 2007. Këshilli në fjalë konsiderohet si platformë e rëndësishme ku mjediset afariste mund t'i shqyrtojnë mundësitë për investime potenciale.

Po ashtu, Turkish Airlines në maj të vitit 2013 hapi linjën direkte Stamboll-Maltë.

Teksa numri i vizitorëve nga Turqia që kanë vizituar Maltën në vitin 2013 ka qenë 9.191, numri i vizitorëve nga Malta në Turqi ka qenë 6.769.

Problemi i migrimit të parregullt

Në kuadër të presidencës së Këshillit Evropian, liderët e vendeve të BE-së mbajtën samit jozyrtar në kryeqytetin e Maltës më 3 shkurt, ku u diskutua për problemin e migrimit të parregullt përmes Mesdheut nga Libia, marrëdhëniet me SHBA-të dhe të ardhmen e BE-së.

Me qëllim parandalimin e migrimit të parregullt në Detin Mesdhe, nga samiti doli vendimi për ndihmë ndaj Libisë përmes "Deklaratës e Maltës". Sipas "Deklaratës së Maltës", BE-ja shpreson ta kthejë mbrapsht trendin e kalimeve të refugjatëve në Detin Mesdhe, konkretisht në hapësirën midis Italisë dhe Libisë, kalime këto të cilat janë shtuar në pesë vitet e fundit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme