Botë

Zgjedhjet presidenciale në Rusi më 18 mars të vitit të ardhshëm

Moskë, 15 dhjetor – Këshilli i Federatës Ruse apo Dhoma e Lartë e Parlamentit të premten njëzëshëm miratoi rezolutën me të cilën zgjedhjet presidenciale caktohen për më 18 mars të vitit 2018.

Sipas mediave shtetërore ruse, pasi vendimi të shpallet më 18 dhjetor edhe zyrtarisht do të fillojë fushata zgjedhore. Ella Pamfilova, kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor, deklaroi se së paku 23 persona kanë shprehur dëshirën për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale.

Presidenti aktual i Rusisë, Vladimir Putin, më 6 dhjetor bëri të ditur se do të kandidojë për një mandat të katërt.

“Nuk do të preferoja të flas për programin zgjedhor në këtë moment. Si edhe çdo kandidat tjetër, sigurisht që do të ketë. Në fakt, programi im është thuajse i gatshëm”, tha Putin në konferencën e djeshme për media, duke konfirmuar se në zgjedhjet presidenciale do të kandidojë si kandidat i pavarur.