Botë

Trump bisedoi me Putinin për Korenë Veriore

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kanë diskutuar përmes telefonit rreth programit bërthamor të Koresë Veriore.

Trump e ka falënderuar Putinin për fjalët e mira që i ka thënë për menaxhimin e ekonomisë amerikane.

Të dy udhëheqësit kanë diskutuar “situatën në disa zona që po përballen me kriza, duke vënë theksin tek zgjidhja e problemit në Gadishullin Korean”, ka thënë Kremlini përmes një deklarate, duke shtuar se Trump ishte ai që ka iniciuar telefonatën.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se të dy liderët “kanë diskutuar rreth asaj nëse duhet punuar së bashku për të zgjidhur situatën shumë serioze në Korenë Veriore”.

Mirëpo, Shtëpia e Bardhë ka përmendur falënderimet e Trumpit ndaj Putinit për mbrojtjen që i ka dhënë gjatë konferencës së tij vjetore.

“Presidenti Trump e ka falënderuar presidentin Putin për njohjen e zhvillimeve të fuqishme ekonomike të Amerikës”, është thënë në deklaratë.

Putin ka cituar rritjen e shpejtë në tregjet amerikane, prej kur Trump mori udhëheqjen e shtetit gjatë muajit janar.

Putin po ashtu ka kritikuar hetimet amerikane lidhur me supozimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, duke akuzuar kundërshtarët e Trumpit për “mungesë të respektit ndaj votuesve që kanë mbështetur atë”.