Botë

UNICEF: 400 000 fëmijë rrezikojnë jetën nga kequshqyerja

UNICEF lëshoi një kambanë alarmi sot për situatën në Republikën Demokratike të Kongos, ku 400 000 fëmijë të kequshqyer rrezikojnë të vdesin në rajonin e Kasait (qendër) nën kërcënimin e dhunës që prej shtatorit 2016.

“Të paktën 400 000 fëmijë nën moshën pesëvjeçare, në rajonin e Kasait, në Republikën Demokratike të Kongos, vuajnë nga kequshqyerja e tejskajshme dhe mund të vdesin në 2018 nëse nuk ndërhyhet me ndihma për kujdesin shëndetësor dhe në ushqime”, bën të ditur deklarata e UNICEF-it, shkruan KP.

“Më shumë se 750 000 fëmijë në rajon vuajnë nga kequshqyerja e tejskajshme”, shton Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët.

“Situata e rëndë është shkaktuar kryesisht nga dhuna, zhvendosjet masive dhe ulja e prodhimit bujqësor gjatë 18 muajve të fundit”, sipas organizatës.