Botë

Amerika planifikon rikthimin e njeriut në hapësirë

Presidenti Donald Trump i kërkoi Administratës Kombëtare të Hapësirës të rigjallërojë programin e eksplorimit të hapësirës, që synon dërgimin e astronautëve amerikanë në Hënë dhe përfundimisht në Mars.

Presidenti Trump e nënshkroi direktivën e re për agjencinë e hapësirës të hënën në Shtëpinë e Bardhë.

“Presidenti ka vendosur të ndryshojë politikën e fluturimeve me njerëz në hapësirë që Amerika të bëhet forca lëvizëse për industrinë e hapësirës, të fitojë njohuri të reja mbi kozmosin dhe të krijojë teknologji të papara”, tha në një deklaratë të hënën zëvendës sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, raporton VOA.

“Që nga fillimi i administratës së tij, Presidenti Trump ka ndërmarrë hapa për ta përqendruar NASA-n te misioni i saj kryesor i eksplorimit të hapësirës”, tha ai.

Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron që Shtetet e Bashkuara t’i rikthehen në përmasa të mëdha eksplorimit të hapësirës.

Zëvendëspresidenti Mike Pence, që është kreu i Këshillit Kombëtar të Hapësirës, tha në tetor se qëllimi i programit do të ishte rikthimi i rolit udhëheqës të Amerikës në eksplorimet me njerëz në hapësirë.

“Ne do t'i kthejmë astronautët amerikanë në Hënë, jo vetëm për të lënë atje gjurmët e këmbëve dhe flamuj, por për të ndërtuar bazat që na nevojiten për të dërguar amerikanët në Mars dhe më gjerë”, tha zëvendëspresidenti.