Botë

Tsipras: Zgjidhja e emrit të Maqedonisë është e mundur

Nëse Maqedonia heq dorë nga qëndrimi dhe deklaratat se janë pasardhësit e vetëm të Aleksandrit të Maqedonisë, unë do të jem i pari që do të mundësoj që Greqia ta garantojë perspektivën zhvillimore dhe të sigurisë në Maqedoni.

Këtë mesazh e dërgoi nga Serbia kryeministri grek Alexis Tsipras. Mesazhi vjen vetëm dy ditë para takimit të ndërmjetësuesit në negociatat Matthew Nimetz me ekipet negociuese të të dyja vendeve. Ky do të jetë takimi i parë që nga ndryshimi i qeverisë në vend.

“Ndoshta viti 2018 mund të jetë vit ku mund të kemi zgjidhje pozitive për problemin shumëvjeçar, nëse qeveria e re në Shkup vendos të bëjë hapa pozitiv përpara, nëse heq dorë sipas meje nga retorika dhe deklaratat e panevojshme se janë pasardhësit e vetëm të Maqedonasve dhe të Aleksandrit të Maqedonisë (Lekës së Madh), në qoftë se ndalon retorikën irredentiste dhe në të njëjtën kohë pranon një zgjidhje për emrin, të pranuar reciprokisht nga fqinjët. Në këtë perspektivë, natyrisht, unë do të jem i pari në Greqi, që do të sigurojë perspektivë zhvillimore dhe siguri për këtë vend fqinj”, deklaroi Kryeministër i Greqisë, Alexis Tsipras, raporton Alsat-M.

Për atë se kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë patjetër duhet të zgjidhet, theksoi edhe kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov. Ai thotë se patjetër të gjithë të bashkohen dhe të ndihmojnë, Komisioni Evropian dhe Brukseli të miratojnë vendime të drejta, e jo të vendosin ultimatume.

“Ne duhet ta bëjmë punën tonë dhe tek më pas të tregojmë se çka propozojmë, ndërsa ata mbetet të vendosin, e pranojnë këtë apo jo”, tha Borisov.

Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e Bullgarisë, Rumanisë dhe Greqisë, në takimin në Beograd biseduan për kryesimin e Bullgarisë me BE-në si kryesim Ballkanik, për jetësimin e Agjendës së Selanikut të vitit 2003, për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor dhe për projekte konkrete për bashkëpunim, siç janë lidhja energjetike dhe hekurudhore e vendeve të Ballkanit.