Cili do të jetë reagimi i Turqisë nëse SHBA-ja transferon ambasadën në Jerusalem

Cili do të jetë reagimi i Turqisë nëse SHBA-ja transferon ambasadën në Jerusalem

05 dhjetor 2017 19:49

Presidenti turk ka paralajmëruar se do t’i ngrijë raportet me Izraelin nëse SHBA-ja e njeh Jerusalemin si kryeqytet të tij.

Sipas Recep Tayyip Erdogan, një hap i tillë do të kalonte vijën e kuqe për myslimanët. Një numër gjithnjë në rritje i shteteve i kanë bërë thirrje Donald Trumpit që mos ta bëjë këtë hap të gabuar, transmeton KTV.

E, sipas mediave, presidenti do të ndryshojë në mënyrë dramatike qëndrimin e SHBA-së ndaj statusit të Jerusalemit këtë javë. Fati i Jerusalemit është një prej çështjeve më diskutabile mes Izraelit e Palestinës. Erdogani këto komente i bëri gjatë një adresimi televiziv, duke paralajmëruar se mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Izraelin lidhur me këtë.

Të hënën ndërkaq, Donald Trump nuk e nënshkroi dokumentin që do të shtynte zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, duke e lënë të hapur mundësinë që këtë mund ta bëjë në çdo çast.

E, nëse Uashingtoni e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit do të bëhej shteti i parë dhe i vetëm që e bën këtë që nga themelimi i Izraelit në vitin 1948.

Në anën tjetër, Turqia e Izraeli rivendosën marrëdhëniet diplomatike vitin e shkuar pas 6 vjetësh kur izraelitët kishin vrarë 9 pro-palestinezë e aktivistë turq, në një anije që tentonte të thyente bllokadën e Gazas.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme