Botë

Lajmi i rremë krijon 'ushtrinë paramilitare' në Bosnjë

Një klub i paintball-it – një lojë sportive që shfrytëzon topa me ngjyra dhe uniforma për të simuluar beteja – në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka njoftuar se do ta padisë një rrjet televiziv, pas raportimeve se klubi është një njësi paramilitare që po formohet jashtëligjshëm nga anëtari i Presidencës së vendit, Bakir Izetbegoviq.

Përplasja filloi kur gazeta nga Beogradi, Vecernje Novosti, raportoi më 25 nëntor se Izetbegoviq ka trajnuar jashtëligjshëm më shumë se 9 mijë boshnjakë.

Televizioni ATV në Banja Llukë, që ndodhet në Republikën Srpska, ka shkuar edhe një hap më larg, duke shfaqur fotografi të milicisë, për të cilat ka thënë se i ka siguruar në mënyrë ekskluzive.

Fotografitë shfaqin disa burra të veshur me rroba ushtarake dhe duke mbajtur armë – për të cilat klubi thotë se janë armë ajri, që hedhin topa të butë të mbushur me ngjyrë.

Klubi “Crnja Munja”, ose Vetëtima e Zezë, i ka cilësuar raportimet si ‘gënjeshtra të neveritshme dhe trillime’ që janë bërë nga ana e mediave, pa ndonjë tentativë për të verifikuar vërtetësinë e lajmit.

“Për këtë arsye, dhe për faktin se klubi jonë është më i madhi dhe më i famshmi në Bosnjë dhe Hercegovinë, ne besojmë që gazetarët nga ky televizion nuk e kanë publikuar rastësisht artikullin kundërthënës, por se prapa gjithë këtij rrëfimi qëndrojnë faktorë të tjerë, që kanë për qëllim krijimin e frikës e panikut te qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë ky klub në një njoftim për medie.

“Klubi tashmë e ka raportuar televizionin e përmendur tek Agjencia e Rregullatorit të Komunikimeve të Bosnjës, të cilët i kemi njoftuar për materialin kundërthënës. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, dhe po përgatisim një padi gjithëpërfshirëse, për shpifje dhe dëmtim të reputacionit, dhe shkaktim të dëmit ekonomik për klubin tonë,” thuhet tutje në njoftim.