Botë

Los Anxhelos, mijëra persona braktisin shtëpitë nga zjarri

Descriptive Text

Mijëra njerëz u detyruan që të braktisin shtëpitë e tyre në veri të Los Anxhelosit për shkak të një zjarri masiv që po lëviz me shpejtësi në zonë.

Zjarri shpërtheu me forcë mbrëmjen e së hënës në kontenë Ventura dhe dogji 10 000 hektarë tokë në pak orë. Tashmë, zjarri kërcënon rrezikshëm qytetet e Santa Paulës dhe Venturës, diçka që shihet mjaft qartë nga pamjet filmike, shkruan Tch.

Policia kaliforniane tha se një person humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor, ndërsa përpiqej t’ia mbathte nga zjarri. Disa ndërtesa janë djegur nga flakët dhe mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e djegies së shtyllave. Autoritetet amerikane thanë se në raste zjarresh të tilla që përparojnë me shpejtësi, e vetmja gjë që mund të bëhet është të evakuohen banorët dhe të mbrohen strukturat më larg zjarrit.

Ky i fundit shpërtheu në afërsi të kolegjit “Thomas Aquinas” në Santa Paula dhe të evakuuarit e parë ishin studentët e stafi i shkollës. Erërat e forta janë faktori kryesor, veç thatësirës, që shtyjnë zjarrin me shpejtësi përpara, ndërsa me qindra zjarrfikës po përpiqen të mos lejojnë flakët të mbërrijnë në qytetet e Venturës dhe Santa Paulas.