Botë

Rusia shpall REL-in dhe Zërin e Amerikës agjentë të huaj

Ministria e Drejtësisë e Rusisë lëshoi një deklaratë ku Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës listohen si “media të huaja që kryejnë funksionet e një agjenti të huaj”.

Në deklaratën e publikuar në ueb-faqen e saj, Ministria tha se në përputhje me ligjin e ri rus për mediat, ka vendosur të listojë Radion Evropa e Lirë, Zërin e Amerikës, kanalin Current Time, shërbimin Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë dhe disa media të tjera si “media të huaja që kryejnë funksionet e një agjenti të huaj”, transmeton REL.

Ligji rus për mediat ka kaluar shpejt në parlament dhe është nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 25 nëntor.

Zyrtarët rusë kanë thënë se ligji është “përgjigje simetrike”, pasi kanali RT, i financuar nga shteti rus, është dashur të regjistrohet si agjent i huaj në SHBA.

SHBA e ka marrë këtë vendim, pasi RT-ja dyshohet se ka shërbyer si platformë e Kremlinit për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

Zyrtarët amerikanë thonë se veprimi rus nuk është simetrik, pasi, sipas tyre, ligji amerikan dhe ai rus dallojnë dhe Rusia e shfrytëzon legjislacionin për “agjentët e huaj” për të heshtur kundërshtarët.