Botë

Turqia lëshon fletarreste për 360 mbështetës të dyshuar të Gulenit

Prokurorët në Turqi kanë paraqitur fletarreste për 360 vetë, në një operacion në shënjestër të të cilit janë mbështetësit e dyshuar brenda ushtrisë, të klerikut turk me seli në Shtetet e Bashkuara, Fetullah Gulen, ka raportuar sot agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Në raport theksohet se 333 prej këtyre personave, që ballafaqohen me arrestim, në operacionin në Stamboll, janë ushtarë, ndërsa 216 prej tyre janë personel shërbyes.

Qeveria e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pretendon se Gulen dhe rrjeti i tij e kanë orkestruar përpjekjen për grushtshtet vitin e kaluar. Gulen e ka hedhur poshtë këtë akuzë, raporton REL.

Oficerët e policisë së Stambollit po e vazhdojnë operacionin për zënien e të dyshuarve, raporton Anadolu.

Agjencia private e lajmeve, Dogan, ka raportuar se 7 prej atyre që kërkohen, janë pilotë.

Më se 50 mijë njerëz janë arrestuar në pritje të proceseve gjyqësore për shkak të lidhjeve me Gulenin, ndërsa 150 mijë të tjerë, janë shkarkuar ose suspenduar nga puna në sektorin publik ose privat, prej puçit të dështuar të 15 korrikut të vitit të kaluar, në të cilin janë vrarë më se 250 njerëz.

Javën e kaluar, afro 700 vetë janë arrestuar në ndërlidhje me këto hetime.

Aleatët perëndimorë të Turqisë dhe grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim se Ankaraja po i shfrytëzon hetimet për goditjen e atyre që mendojnë ndryshe.