Botë

Merkel shpreh përkushtimin e Gjermanisë për BE-në

Gjermania mbetet plotësisht e përfshirë në çështjet e Bashkimit Evropian, deklaroi sot kancelarja gjermane Angela Merkel, në një kohë kur kriza politike e vendit të saj ka rritur frikën se Evropa do të privohet nga një prej motorëve të saj kryesorë.

“Ne jemi plotësisht të angazhuar në detyrimet tona, ne jemi aktivisht të përfshirë në të gjitha çështjet”, konfirmoi Merkel për shtypin, në përfundim të një samiti të organizuar në Bruksel mes BE-së dhe gjashtë vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik.

“Ne jemi plotësisht të aftë për të reaguar dhe për të marrë të gjitha vendimet e nevojshme”, shtoi Merkel, duke theksuar se prania e saj në Bruksel ishte një shembull i mirë.

Dështimi i negociatave për koalicion në Gjermani, mes konservatorëve, liberalëve dhe ekologjistëve, ka ngjallur shqetësime në BE, kur po përgatiten reformat për zonën euro dhe Unionin bankar, fusha ku roli i Berlinit është i rëndësishëm.

Megjithatë, Gjermania duket se ka hedhur një hap drejt daljes nga kriza, pasi kreu i socialdemokratëve ka hequr dorë nga kundërshtimi i tij për një aleancë me Angela Merkel për formimin e një qeverie.

Në rast të dështimit të bisedimeve mes konservatorëve dhe social-demokratëve, Gjermania do ta ketë të vështirë t’i shpëtojë zgjedhjeve të parakohshme.