Botë

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut e fton Serbinë të ballafaqohet me të kaluarën

Beograd, 22 nëntor – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi, duke përshëndetur aktgjykimin e Tribunalit të Hagës për Ratko Mlladiqin, thekson se “është koha e fundit që Serbia të nisë të ballafaqohet me të kaluarën e vet, në vend se të fshehë dëshmitë dhe t’u japë mbështetje politike kriminelëve të luftës, transmeton Koha.net.

Nisma thekson qartë se kriminelët e luftës nuk janë dhe nuk bën të jenë heronj, se nuk e kanë vendin në ceremonitë festive, tubimet politike, akademitë ushtarake, në parlament, faqet e para dhe emisionet televizive, shitoret e suvenireve, askund në hapësirat publike.

Serbia, institucionet e saj dhe zyrtarët duhet të mos mohojnë gjenocidin në Srebrenicë dhe më në fund të miratojnë Deklaratën për gjenocid në Srebrenicë dhe të shprehë respektin më të madh të mundshëm ndaj viktimave të gjenocidit, thuhet në reagimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Kjo organizatë thekson po ashtu se është koha që Serbia të marrë përgjegjësitë dhe që para gjykatave vendore më efektivisht t’i dënojë përgjegjësit për krime lufte si dhe që të pushojë së falsifikuari historinë.