Botë

Serbi provokon para shpalljes së aktgjykimit ndaj Mlladiqit në Hagë

Hagë, 22 nëntor – Para shpalljes së vendimit ndaj kasapit të Ballkanit, Ratko Mlladiq, para Tribunalit të Hagës ndodhi një incident, raportojnë mediat, transmeton Koha.net.

Një burrë u shfaq para objektit të Tribunalit me një flamur të Serbisë, ku po qëndronte një grup i madh anëtarësh të shoqatave nga Bosnja e Hercegovina në pritje të vendimit të Gjykatës.

Reagon Bakira Haseçiq, kryetare e Shoqatës “Gratë, viktima të luftës”, e cila u përpoq t’ia rrëmbente flamurin, transmeton Koha.net.

Ndërhyn policia dhe qetëson situatën.

“Shporru nga këtu dhe mos provoko” ishte thirrja e Haseçiqit ndaj burrit anonim, që supozohet të ishte serb.

Haseçiq pas incidentit deklaroi se “është e dhimbshme dhe trishtuese që sot para Gjykatës së Hagës të glorifikohet gjenocidi, agresioni, përdhunimet masive të grave jo serbe, kryesisht boshnjaket. Unë jam një nga ato mijëra gra të përdhunuara”.

Ish të burgosur nga të gjitha anët e Bosnjë e Hercegovinës, përfaqësues të shoqatave të viktimave dhe familjarë të të vrarëve nga orët e hershme mbërritën para ndërtesës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për Ish-Jugosllavinë (GJNPJ) në Hagë ku sot do të spallet vendimi i shkallës së parë për ish komandantin e ushtrisë të Republikës Srpska, të akuzuar për gjenocid dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë e Herecegovinë në vitet e 90-ta.

Pas më shumë se dy dekadash nga lufta në BeH familjet e viktimave shpresojnë se me vendimin e sotëm sadopak drejtësia do të vihet në vend.

Gjykimi i Mladiqit ka filluar në maj të vitit 2012, kurse aktakuza e Gjykatës së Hagës e ngarkon me 11 pika, prej të cilave dy për gjenocid.