Botë

Kryetarja e Rezervave Federale i deponon dorëheqjen me shkrim Trumpit

Kryetarja e Rezervave Federale (FED) në SHBA, Janet Yellen ka njoftuar largimin e saj nga Bordi Drejtues i FED-it pasi që pasardhësi i saj Jerome Powell edhe zyrtarisht të marrë detyrën.

Në kumtesën e FED-it thuhet se Yellen sot i ka deponuar dorëheqjen me shkrim presidentit amerikan Donald Trump.

“Zotëri President Trump, ju shkruaj për t'iu njoftuar se planifikoj të jap dorëheqje nga Bordi Drejtues i FED-it pasi që pasardhësi im të japë betimin. Isha e privilegjuar dhe e nderuar që për 30 vite të shërbej në FED”, ka thënë Yellen.

Presidenti amerikan në fillim të nëntorit nominoi Powell për shef të Rezervave Federale.

Powell është një republikan i moderuar, avokat dhe ish-bankier, i cili do të zëvendësojë Yellen-in pas përfundimit të mandatit të saj në shkurt të vitit 2018.

Powell (64), të cilin ish presidenti amerikan Barak Obama e emëroi në vitin 2012 në Bordin e FED-it, ishte një nga pesë kandidatët e mundshëm për shefin e FED.

Ndër kandidatët ishte edhe kreu aktual i FED-it Yellen, pastaj ekonomisti John Taylor nga Universiteti i Stanfordit, kryekëshilltari për ekonomi i Trumpit, Gary Cohn dhe ish-guvernatori i FED, Kevin Warsh.

Në një njoftim të mëparshëm të Shtëpisë së Bardhë, Trump e quajti Powell një udhëheqës të fortë, të përkushtuar dhe të zgjuar.

“Ai është i fortë, i vendosur, inteligjent. Ai ka dëshmuar se është arkitekt i konsensusit për politikën monetare dhe financiare në të cilën beson, dhe unë jam i bindur se Jay ka cilësitë e shefit për të udhëhequr ekonominë tonë”, tha Trump.