Botë

Hahn në Shkup për të parë progresin në zbatimin e reformave

Komisari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, do të udhëtojë nesër për vizitë dyditore në Shkup, për të parë përparimin në zbatimin e programit reformues të Qeverisë së Maqedonisë.

Sipas mediave lokale, Hahn do të zhvillojë takime me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi dhe liderët e partive parlamentare.

Vizitën dyditore në Maqedoni, Hahn do ta përfundojë me një konferencë për media, ku do të bëjë vlerësimin e përparimit të programit reformues të Qeverisë me emrin "3-6-9", si dhe për bisedimet me përfaqësuesit politikë.

Hahn vizitën e tij në Shkup e ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, pas takimit që pati gjatë kësaj jave me zëvendës kryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmani dhe shefin e diplomacisë maqedonase, Nikola Dimitrov në Bruksel.