Botë

Nëndetësja e zhdukur argjentinase, diktohen sinjale satelitore

Autoritetet argjentinase diktuan sinjale që mendohet se vijnë nga një nëndetëse që u zhduk befas, me 44 njerëz në bordin e saj.

Ministria e mbrojtjes e Argjentinës tha se tashmë po përpiqet që të zbulojë burimin e këtyre sinjaleve, me shpresën se do të gjejë nëndetësen e humbur. Sipas autoriteteve duket se nga nëndetësja janë nisur gjatë të shtunës, 7 sinjale satelitore drejt bazave të ndryshe detare.

Sinjalet janë nga 4 deri në 36 sekonda të gjata, por sidoqoftë, nuk pati asnjë komunikim të ndërsjellë. Argjentina ka shtuar përpjekjet e kërkimit në Atlantikun Jugor dhe operacionit i është bashkuar edhe një avion i NASA-s, shkruan tch.

Nëndetësja “Ara San Juan” po kthehej nga një mision rutinë dhe kontakti i saj i fundit me marinën ishte të mërkurën rreth 430 km larg bregut. Autoritetet mendojnë se nëndetësja nuk mund të komunikojë me bazën për shkak të ndonjë defekte elektrik dhe manuali i marinës dikton se në një rast të tillë, mjeti lundrues duhet të dalë në sipërfaqe. Por pavarësisht kërkimit masiv, deri tani ende nuk ka asnjë gjurmë të nëndetëses.