Botë

Merkel: Serbia përmbush standardet e BE-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të martën ka falënderuar kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuqiq për reformat që ka zbatuar në vendin e tij duke mundësuar një zhvillim më të mirë ekonomik dhe se Serbia përmbush standardet e BE-së, për të cilën si fakt paraqitet hapja e kapitujve të ri.

Ajo në konferencën e përbashkët për media, para bisedimeve me kryeministrin Vuqiq, ka shprehur falënderim të veçantë për shefin e qeverisë serbe për zhvendosjen e mëhershme të takimit, për shkak të ndryshimit të rrugës së saj në Uashington, ku anuloi takimin me presidentin Donald Trump për shkak të motit të lig.

Nga ana e tij, Vuqiq deklaroi se vendi i tij ka investuar mjaft në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Situata është turbulente në disa vende të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai, duke shfaqur shpresën dhe besimin se paqja dhe stabiliteti mund të ruhen me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë.