Xi: Globalizmi është një tendencë historike e pandalshme

Xi: Globalizmi është një tendencë historike e pandalshme

10 nëntor 2017 13:23

Danang, 10 nëntor – Globalizmi është një tendencë historike e pandalshme, vlerësoi sot presidenti kinez, Xi Jinping, që mbajti një fjalim menjëherë pas presidentit amerikan, Donald Trump në samitin vjetor të forumit të Azi-Paqësorit (APEC), në Danang në Vietnam.

“Shkëmbimet duhet të rimendohen që të jenë më të hapura, më të ekuilibruara, më të drejta dhe më përfituese për të gjithë”, shpjegoi ai, duke marrë rolin e kampionit të ri të tregtisë së lirë.

Disa minuta më parë, në të njëjtën skenë, presidenti amerikan kishte garantuar se “vendi i tij nuk do të tolerojë më këmbimet e padrejta”.

“Ne nuk do të lejojmë më që të abuzohet me SHBA-në”, theksoi ai para krerëve të Azi-Paqësorit ende të tronditur nga tërheqja e menjëhershme e SHBA-së nga marrëveshja e tregtisë së lirë Azi-Paqësor (TPP).

I vlerësuar si një kundër peshë ndaj influencës në rritje të Kinës, ky traktat ishte nënshkruar në vitin 2015 nga 12 vende të Azi-Paqësorit që përfaqësojnë 40 për qind të ekonomisë botërore.

“Ne duhet të mbështesim tregtinë e lirë dhe të praktikojmë një rajonalizëm të hapur për t’i mundësuar vendeve në zhvillim të kenë përfitime nga tregtia dhe investimet ndërkombëtare”, tha nga ana e tij presidenti kinez.

I forcuar nga kongresi i fundit i Partisë Komuniste, Xi Jinping shihet si kreu më i fortë prej dekadash, në krye të një vendi që është një fuqi në rritje që sfidon edhe vetë dominimin amerikan.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme