Botë

Russia Today do të regjistrohet si agjent i jashtëm në SHBA

Descriptive Text

Transmetuesi shtetëror rus, RT, ka njoftuar se do të përmbushë kërkesat e SHBA-së që të regjistrohen si agjentë të jashtëm, duke shtuar se një urdhër i tillë do të hudhet në gjyq.

RT, i njohur si Russia Today, ka thënë në një kumtesë në faqen online se Departamenti amerikan i drejtësisë, ka detyruar ata të regjistrohen si agjentë të jashtëm deri më datën 13 nëntor.

Departamenti i drejtësisë, vazhdimisht ka refuzuar të konfirmojë apo mohojë një urdhër të tillë, ata po ashtu nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë.

Kryeredaktorja, Mararita Simonyan, tha se punonjësit e televizionit mund të arrestohen nëse nuk regjistrohen në ligjin e agjentëve të jashtëm të SHBA-së.

Faqja online e televizionit e ka cituar Simonyan të ketë thënë se “ në mesin e pasojave apo regjistrimit, ne zgjedhim regjistrimin, edhe pse kategorikisht nuk pajtohem me këtë kusht”.

Ajo ka thënë se për këtë do t’i drejtohet gjykatës.