Fitoret e demokratëve në Virxhinia dhe Nju Xhërsi, paralajmërim për republikanët

Fitoret e demokratëve në Virxhinia dhe Nju Xhërsi, paralajmërim për republikanët

10 nëntor 2017 10:00

Presidenti Donald Trump pësoi disfatën më të madhe politike të presidencës së tij të martën kur demokratët arritën fitore të ndjeshme në garat për guvernator në Virxhinia dhe Nju Xhërsi. Rezultatet e së martës kanë implikime madhore për të dyja partitë politike ndërsa ato i kanë sytë tek zgjedhjet e Kongresit vitin që vjen. “Zëri i Amerikës” jep detaje nga skena politike e Uashingtonit.

Në Nju Xhërsi, guvernatori i sapozgjedhur Phil Murphy, një demokrat e sheh fitoren e tij si një kritikë direkte ndaj Presidentit Donald Trump.

“Sot, Nju Xhërsi i dërgoi një mesazh të qartë të gjithë vendit. Ne nuk mund ta pranojmë këtë lloj politike”.

Në Virxhinia, demokrati Ralph Northam fitoi ndaj republikanit Ed Gillespie në një fushatë që është përqendruar shpesh tek zoti Trump dhe politikat e tij, veçanërisht për emigracionin.

Zoti Northam thotë banorët e Virxhinias dërguan një mesazh.

“Ndasitë, urrejtja, paragjykimet, politika që po e përçan vendin, kjo nuk është Amerika që duan njerëzit dhe pa dyshim nuk është Virxhinia që duan njerëzit”.

Entuziazmi i demokratëve dhe fokusi tek zoti Trump, ishin të dukshme në të dyja shtetet, thotë analisti Steve Peoples.

“Kemi muaj që dëgjojmë për të gjithë këtë energji të së majtës. Deri sot nuk ishte materializuar. Ishte një natë e madhe për demokratët dhe ishte një refuzim i mesazhit nacionalist të zotit Trump”.

Gjatë udhëtimit të tij në Azi, Presidenti shkruajti në Twitter se Gillespie humbi në Virxhinia sepse nuk u identifikua sa ç’duhej me zotin Trump aq sa duhej gjatë fushatës.

Anketat pas votimit nga të dyja shtetet arritën në përfundimin se zoti Trump ishte një faktor motivues për shumë votues demokratë dhe kjo mund të përkthehet në lajme jo të mira për republikanët në zgjedhjet e Kongresit vitin që vjen, thotë analisti Richard Harris.

“Mendoj se shenjat e rrezikut janë kur shikon se votuesit demokratë janë të entuziazmuar dhe është e lehtë t’i mobilizosh dhe pjesëmarrja veçanërisht në shtetet e pavendosura, do të favorizojë demokratët”.

Fitoret e demokratëve në Virxhinia dhe Nju Xhërsi do të ushtrojnë më shumë presion ndaj republikanëve në Kongres për të miratuar reformën e taksave, në mënyrë që të kenë diçka që të mund ta paraqesin para votuesve vitin e ardhshëm, thotë zoti Harris.

“Trysnia ndaj tyre ishte ndoshta në nivelin 9.5 nga 10 pikë të mundshme dhe tani është ndoshta 9.9, pra ishte i lartë gjithsesi dhe do të bëhet gjithnjë e më intensiv”.

Rezultatet e zgjedhjeve mbizotëruan në ditën e njëvjetorit të zgjedhjes së Donald Trumpit. Fitoret e demokratëve mund të sinjalizojnë një zhvendosje të fatit politik të një presidenti, miratimi i punës së të cilit nga publiku ka mbetur afro ose nën 40 për qind për pjesën më të madhe të presidencës, një nivel i historik i ulët për një president të ri.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme