Botë

Putin dhe Trump do të takohen në Vietnam

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe ai amerikan, Donald Trump, do të takohen të premten në Vietnam, në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azipaqësorit, njoftoi të enjten këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov...

Një takim tjetër mes Presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut amerikan, Donald Trump, do të zhvillohet të premten në Vietnam, në kuadër të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Azipaqësorit (APEC), theksoi të enjten këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

“Ky takim do të zhvillohet më 10 nëntor”, deklaroi Ushakov duke shtuar se ora e takimit po diskutohet.

Kremlini e gjykoi të mërkurën shumë të mundshëm këtë takim mes liderit rus dhe atij amerikan, i dyti që prej betimit të Donald Trump në muajin janar.

“Putin dhe Trump do të marrin pjesë në të njëjtin samit. Kjo është dhe arsyeja e këtij takimi”, deklaroi ai.

“Më e rëndësishmja është që do të ketë çështje, mbi të cilat do të disktohet duke filluar nga Siria dhe për të përfunduar me Korenë e Veriut”, theksoi Ushakov.

Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik të Azipaqësorit do të zhvillohet në Danang, në qendër të Vietnamit.

Dy drejtuesit u takuan për herë të parë në muajin korrik në kuadër të Samitit të G20-s në Hamburg, në Gjermani, për një diskutim që zgjati rreth dy orë e gjysmë.

Marrëdhëniet ruso-amerikane vazhdojnë të jenë jo të mira që prej zgjedhjes së Donald Trump si president, në sfondin e krizës ukrainase, luftës civile në Siri dhe akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.