Botë

OKB: 2017 ndër vitet më të nxehta prej se mbahen shënimet

Ky vit do të shënohet si ndër tri vitet më të nxeha prej se ato regjistrohen, ka njoftuar sot Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), në hapje të konferencës klimatike të Kombeve të Bashkuara, të organizuar në Bon të Gjermanisë.

Në këtë konferencë, që ka filluar sot dhe zgjatë deri më 17 nëntor, përfaqësuesit e afro 200 vendeve pjesëmarrëse do të përpiqen ta forcojnë Marrëveshjen e Parisit, të arritur në vitin 2015, me gjithë tërheqjen e planifikuar të Shteteve të Bashkuara, transmeton rel.

Viti i kaluar ishte më i nxehti, për shkak të fenomenit El Nino, ndërsa 2015 dhe 2017 gjenden në vendin e dytë dhe të tretë, ka thënë WMO në raportin vjetor preliminar të publikuar sot.

Prania e dioksid karbonit në atmosferë ka vazhduar të rritet këtë vit, nivelet e detërave janë rritur më tutje, ndërsa mbulesa e akullt në Antarktik është duke lëvizur kah zvogëlimi rekord.

Më tutje, në raport theksohet se temperatura mesatare globale në periudhën janar – shtator këtë vit, ishte për afro gjysmë grade Celsius më e lartë se mesatarja e periudhës 1981 – 2010.

Në vitin 2017 “ne kemi qenë dëshmitarë të motit të jashtëzakonshëm”, tha sekretari i përgjithshëm i WMO-s, Petteri Taalas, në deklaratën e tij.

Në këtë kuadër ai ka shpjeguar se ka pasur uragane të fuqishme në Atlantik dhe Karaibe, temperatura mbi 50 gradë Celsius në Pakistan, Iran dhe Oman, vërshime nga të reshurat e mëdha në Azi dhe thatësi në Afrikën Lindore.