Deklarata e çuditshme e zyrtarit amerikan: Karburanti fosil ndal përdhunimet

Deklarata e çuditshme e zyrtarit amerikan: Karburanti fosil ndal përdhunimet

03 nëntor 2017 15:20

Sipas sekretarit amerikan të energjisë, Rick Perry, karburantet fosile mund të ndihmojnë në parandalimin e sulmeve seksuale.

Deklarata është bërë prej tij të enjten, në një konferencë mbi politikat e energjisë në Washington, ndërsa Perry po shpjegonte se si fshatrat afrikane mund të përfitonin nga energjia elektrike e prodhuar prej karburanteve fosile.

“Por, edhe nga këndvështrimi i agresioneve seksuale…kur dritat janë të ndezura, kur mund të shohësh, mund të parandalohen këto akte. Pra nga këndvështrimi se si mund të prekë realisht jetët e njerëzve, karburanti fosil mund të luajë një rol edhe në këtë pjesë. Dhe unë mendoj se ai do të luajë një rol pozitiv”, u shpreh Rick Perry.

Sekretari amerikan i energjisë tha se ai besonte se aktiviteti njerëzor nuk është shkaktar i vetëm i ndryshimeve klimaterike.

Perry u emërua sekretar për energjinë në dhjetor 2016, pavarësisht se kishte premtuar se do të abrogonte Departamentin e Energjisë në fushatën e tij presidenciale të 2012-s dhe se kishte harruar se si quhej ky departament gjatë një debati.

Pas deklaratës së tij për karburantet fosile, organizata më e madhe ambientaliste në SHBA, Sierra Club, në një postim në twitter, i kërkoi atij të jepte dorëheqjen. Por sipas një zëdhënësi të agjencisë për energjinë, këndvështrimi i Perry ishte i rëndësishëm dhe tregonte se sa preken disa vende të botës nga mungesa e energjisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme