Bie fortesa e fundit e Kalifatit në Siri

Bie fortesa e fundit e Kalifatit në Siri

03 nëntor 2017 12:23

Ushtria siriane mori edhe fortesën e fundit të Shtetit Islamik në vend, Deir al Zour-in.

Qyteti, u tha në televizionin shtetëror, është çliruar krejtësisht nga terroristët. ISIS-i e mbante Deir al Zurin në darën e tij që prej 2014-tës, transmeton TCH. Rëndësia e tij për grupin ishte strategjike për shkak të afërsisë me kufirin irakian.

Grupit militant nuk i kanë mbetur tashmë veçse disa xhepa të vogla rezistence, të cilat pritet të eliminohen shumë shpejt. Rreth 350,000 civilë mësohet të jenë larguar nga provinca për shkak të luftimeve të përshkallëzuara që prej muajit të kaluar, kur aleanca e mbështetur prej Shteteve të Bashkuara i dëboi ekstremistet nga Raqqa, kryeqendra e kalifatit të tyre të vetëshpallur.

Ofensivën në Deir al Zour e drejtuan forcat demokratike siriane SDF dhe ato të qeverisë së Bashar al Assadit, të ndihmuara nga ajri prej avionëve ruse dhe në terren nga luftëtarët e lëvizjes libaneze, Hezbollah.

Në disa zona, njësitë SDF të përkrahura nga Amerika dhe ushtria siriane që gëzon mbështetjen e Moskës, e kanë gjetur veten në pozicione që ishin vetëm kilometra larg njeri-tjetrit. Shteti islamik ka marrë goditje shkatërruese në Irak e Siri, por ai vazhdon të pretendojë se aktiviteti në perëndim nuk ka reshtur, e së fundi mori përsipër edhe përgjegjësinë e sulmit të New York duke e përshkruar autorin e tij, Saifullo Saipov, si një ushtar të kalifatit.

Njoftimi u shfaq në gazetën e përjavshme të grupit të dhunshëm xhihadist, pa dhënë sidoqoftë prova në mbështetje të këtij pretendimi.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme