Gjatë luftës civile në Siri u vranë 634 gazetarë

Gjatë luftës civile në Siri u vranë 634 gazetarë

02 nëntor 2017 14:48

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se 634 gazetarë janë vrarë në Siri që nga fillimi i luftës civile, ndërsa shumica e tyre kanë qenë viktima të regjimit të Bashar al Asadit, raporton AA.

Kjo shifër është shpalosur në një raport nga SNHR të publikuar me rastin e 2 Nëntorit - Ditës së luftës kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve.

Në raport thuhet se 526 gazetarë vendas dhe të huaj janë vrarë nga regjimi i Asadit. "Regjimi i Sirisë në mënyrë të vetëdijshme u ka hapur luftë punonjësve të mediumeve. Në këtë mënyrë, regjimi ka kryer qindra shkelje kundrejt gazetarëve. Ai ka kryer vrasje, burgosje dhe tortura. Edhe grupet e tjera, veçanërisht DEASH-i, kanë kryer vepra të ngjashme, por në përmasa të ndryshme", thuhet në raport.

Krahas 526 gazetarëve të vrarë nga regjimi, 46 gazetarë janë vrarë nga organizata terroriste DEASH, 16 nga Rusia, tre nga organizata terroriste PKK/PYD dhe gjashtë nga grupi kundër regjimit Hejet Tahrir al-Sham, njoftohet në raport.

Po ashtu, sipas raportit, 21 gazetarë kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve mes opozitarëve dhe regjimit, kurse 16 të tjerë janë vrarë nga palë të paidentifikuara.

SNHR në raport po ashtu bën të ditur se 1.124 gazetarë janë rrëmbyer ose burgosur nga palët ndërluftuese që nga fillimi i luftës.

"Deri më tani, 408 gazetarë shtetas të Sirisë janë të zhdukur. I bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara të luftojë kundër mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve", thuhet më tej në raport, ndërsa theksohet nevoja që komuniteti ndërkombëtar të bëjë më shumë përpjekje për mbrojtjen e gazetarëve.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme