Abe rimerr postin e kryeministrit të Japonisë

Abe rimerr postin e kryeministrit të Japonisë

01 nëntor 2017 11:36

Parlamenti japonez rizgjodhi sot Shinzo Aben si kryeministër, pas fitores së bujshme të Partisë së tij Liberaldemokrate në zgjedhjet parlamentare muajin e kaluar, falë keqorganizimit të kampit opozitar.

Abe, i cili ka qenë në pushtet që prej dhjetorit të vitit 2012, pritet të mbajë të gjithë anëtarët e kabinetit të tij aktual, të cilin ai e njoftoi në fillim të gushtit.

Pavarësisht fitores në zgjedhjet e 22 tetorit, Abe është përballur me kritika të ashpra lidhur me një seri skandalesh që kanë përfshirë bashkëshorten, Akie dhe mikun e tij të ngushtë, Kotaro Kake.

Në fund të shtatorit, Abe shpërndau Dhomën e Ulët të parlamentit për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme mes krizës bërthamore të Koresë së Veriut.

Gjatë fushatës zgjedhore, kryeministri tha se kishte nevojë për një mandat të ri qeverisës për të zgjidhur çështjen e kërcënimeve bërthamore dhe raketore nga Pheniani.

Megjithatë, sipas analistëve, Abe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme për të shmangur kritikat nga partitë opozitare për skandalet.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme