Niset treni i parë në Hekurudhën e Mëndafshit

Niset treni i parë në Hekurudhën e Mëndafshit

31 tetor 2017 09:19

Është nisur dje treni i parë në Hekurudhën Baku-Tbilis-Kars (BTK), e cila cilësohet si një projekt që do ta rigjallërojë Rrugën historike të Mëndafshit.

Në ceremoninë e hapjes së hekurudhës në Baku të Azerbajxhanit, e cila do të mundësojë transportin hekurudhor pa ndërprerje nga Kina në Evropë, merrnin pjesë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev dhe kryeministri i Gjeorgjisë, Giorgi Kvirikashvili.

Hekurudha, e cila sipas të dhënave të Linjës Hekurudhore Shtetërore të Azerbajxhanit është e gjatë gjithsej 838 kilometra, 76 kilometra shtrihet në Turqi, 259 në Gjeorgji dhe 503 kilometra në Azerbajxhan.

Në pjesën turke të projektit janë ndërtuar katër stacione, tre ura dhe 76 kilometra hekurudhë. Kalimi mes Turqisë dhe Gjeorgjisë është siguruar përmes tunelit. Dy mijë e 375 metra të Tunelit gjenden në territorin e Turqisë, kurse dy mijë e 70 në atë të Gjeorgjisë.

Ndërkaq, në Gjeorgji janë shtruar 105 kilometra hekurudhë, ndërsa janë riparuar 154, ndërkohë që 503 kilometra hekurudhë janë sjellë në gjendje të përshtatshme për projektin.

Me aktivizimin e linjës do të mundësohet transporti i pandërprerë hekurudhor nga Londra për në Pekin. Projekti parasheh që mallrat që nisen nga Kina të arrijnë në portin Alat të Bakut përmes Detit Kaspik nga Kazakistani dhe Turkeminsitani, ndërsa prej aty në Evropë përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë.

Në fazën e parë, përmes linjës pritet të transportohen një milionë pasagjerë në vit dhe 6,5 milionë tonë mallra. Deri në vitin 2034 planifikohet që numri i pasagjerëve në vit të rritet në tre milionë, ndërsa ai i mallrave në 17 milionë tonë. Ndërkaq, përmes linjës hekurudhore Baku-Tbilis-Kars do të paraqitet potencial transportues ndërkombëtar prej 50 milionë tonësh mes shteteve të Azisë, Kaukazit dhe Evropës.

Hekurudha BTK do të jetë një alternativë e rëndësishme e transportit në rajon, ndërkohë që Turqia si partner i projektit, me linjën e saj Marmaray, parashihet të ketë rol të rëndësishëm në trafikun hekurudhor mes Kinës dhe Evropës.

Aktualisht, të gjitha hekurudhat nga Kina për në Evropë kalojnë përmes Rusisë. Me funksionalizimin e BTK-së, distanca do të shkurtohet për rreth shtatë mijë kilometra. Rrjedhimisht, supozohet se një pjesë e konsiderueshme e trafikut të mallrave mes Kinës dhe Evropës do të kalojnë në këtë linjë, përmes së cilës mallrat nga Kina për në Evropë do të arrijnë për një periudhë prej 15 ditësh.

Po ashtu, parashihet që kjo linjë të marrë përsipër një pjesë të madhe të trafikut aktual të mallrave mes Turqisë dhe shteteve të Azisë Qendrore. Edhe Azerbajxahni përmes kësaj linje do të transportojë naftën dhe produktet kimike si në Turqi, ashtu edhe në shtetet e tjera.

Projekti do të sjellë intensitet si në aspektin e hapjes së vendeve të punës, ashtu edhe në aspektin tregtar, ndërsa pas projekteve Baku-Tbilis-Xhejhan dhe Baku-Tbilis-Erzurum, do të shënohet në histori si projekti i tretë i madh i realizuar nga Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Turqia.

Image

Komentet

Shto koment

Të ngjashme