Takimi që të përlot në kufirin Turqi-Siri

Takimi që të përlot në kufirin Turqi-Siri

30 tetor 2017 09:49

Vogëlushi sirian Reda Ali, 2 vjeç e gjysmë, i cili u plagos gjatë sulmit me armë kimike në qytetin Idlib të Sirisë dhe që u dërgua në Turqi për trajtim i pashoqëruar nga familjarët e tij, ai u bashkua me familjen me përpjekjet e Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Reda dhe babai i tij, Ali Muhammed, i cili për 6 muaj ndodhej në kërkim të gjurmëve të djalit të tij u çmallën me njëri-tjetrin me sytë e përlotur.

Ekipi i Anadolu Agency (AA) ka filmuar takimin e familjes me vogëlushin Reda Ali, si dhe udhëtimin nga qyteti Gaziantep e deri në pikën zero të kufirit, në rajonin Yayladağı të qytetit Hatay të Turqisë.

Sulmi me armë kimike që regjimi i Asadit ndërmori në muajin prill në qytetin Idlib të Sirisë shkaktoi vdekjen e qindra njerëzve si dhe probleme shëndetësore për sirianin e vogël Reda Ali.

Siriani Reda Ali i cili në sulmet në Idlib ka humbur nënën e tij dhe është plagosur, fillimisht mbërriti me ambulancë në spitalin shtetëror Reyhanlı në Hatay të Turqisë. Pas ndërhyrjes së parë këtu Reda më pas u dërgua në spitalin shtetëror Şehitkamil.

Vogëlushi Reda ishte i pashoqëruar gjatë këtij procesi dhe falë përpjekjeve intensive të mjekëve gjendja e tij arriti të përmirësohej pas trajtimit një mujor. Ai më pas në muajin maj u mor nën mbrojtje të përkohshme duke u dërguar në kompleksin e Shtëpisë së Fëmijëve në Gaziantep, që është një qendër nën strukturën e Ministrisë së Familjes dhe Politikave Sociale të Turqisë.

Iniciativat e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë nga njëra anë dhe zyrtarëve të Ministrisë së Familjes dhe Politikës Sociale nga ana tjetër, për të gjetur familjen e Redas, dhanë rezultate pozitive.

Yasmina Peker, punonjëse e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, duke folur për AA, tregon përjetimet gjatë kësaj periudhe. Ajo ka tërhequr vëmendjen se në sulmet në Idlib shumë persona u vranë dhe u plagosën si dhe afërsisht 1.500 persona u larguan në vende të tjera.

“Fatkeqësisht edhe nëna e vogëlushit Reda humbi jetën në këto sulme. Ndërkohë Reda i vetëm u transportua në Turqi bashkë me shumë fëmijë të tjerë. Reda fillimisht u mjekua në Gaziantep dhe më pas u mor në mbrojtje nga Ministria e Familjes dhe Politikave Sociale. Gjatë këtyre ngjarjeve kemi qenë në kontakt me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe me organizata ndërkombëtare të shoqërisë civile. Sigurisht që Reda nuk është rasti i vetëm. Reda sot po bashkohet me familjen e tij, por qëllimi ynë është që të gjejmë të gjithë të humburit dhe t'i bashkojmë me familjet”, është shprehur Peker.

Takimi përmes lotëve në pikën zero të kufirit

Babai Ali Muhammed, i cili deri në kontaktimin e autoriteteve turke nuk kishte dijeni nëse ndodhej në jetë djali i tij, ka mbërritur i emocionuar në pikën kufitare Yayladağı. Babai i përlotur ka rendur për të përqafuar djalin e tij i cili i mungonte që prej 6 muajsh. Babai duke përjetuar gëzimin dhe dhimbjen në të njëjtën kohë, i ka shpjeguar djalit të tij se e prisnin pjesëtarët e tjerë të familjes, përveç nënës e cila ka ndërruar jetë.

“Allahu ju bekoftë që më mundësuat takimin me djalin tim. Nuk e di çfarë të shpreh. Që prej 6 muajsh nuk kisha asnjë lajm për djalin”, ishin fjalët e babait Muhammed, duke shprehur falënderimet për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në mjekimin e tij dhe janë kujdesur për vogëlushin.

Reda kaloi nga kufiri turk në anën e Sirisë në krahët e babait të tij, ku pritej edhe nga pjesëtarët e tjerë të familjes.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme