Botë

“Dallime thelbësore” midis NATO-s dhe Rusisë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake perëndimore dhe Rusia "vazhdojnë te kenë dallime thelbësore" sa i përket konfliktit në lindje të Ukrainës.

"Dialogu ynë nuk është i lehtë, por kjo është arsyeja përse ai është i rëndësishëm", tha Stoltenberg pas takimit të ambasadorëve të NATO-s me të dërguarin rus, Aleksandr Grushko, në selinë e aleancës në Bruksel.

Shefi i NATO-s, siç raporton REL, e përshkroi takimin e fundit të Këshillit NATO-Rusi si një "diskutim të sinqertë dhe të hapur" për Ukrainën dhe Afganistanin.

Marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Moskës janë tensionuar rëndë prejse Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe vazhdon të mbështesë politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht separatistët në lindje Ukrainës.

Moska e mohon ndërhyjen në çështjet e brendshme të Ukrainës, por sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë në muajin korrik se Rusia i ka mijëra trupa në Ukrainë.

Këshilli NATO-Rusi është një forum që synon të parandalojë përshkallëzimin e tensioneve.