Botë

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO prioritet strategjik politik

Në kazermën “Goce Delçev” në Shkup përmes një punëtorie të organizuar nga Akademia Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski” u prezantua projekti SIARS (Smart (eye) | Advisory Rescue System), projekt trevjeçar i financuar nga programi i NATO-s dhe i cili është në fazën përfundimtare të zbatimit nga kjo akademi ushtarake, raporton AA.

Ky projekt i NATO-s është i përbërë nga një sistem i ri dhe modern i informacionit të tele-mjekësisë, i cili do të mundësojë transferimin e vazhdushëm të shenjave vitale të jetës për ushtarët apo civilët në fushën e betejës. Ky sistem përmes sensorëve për matjet e parametrave vitale të çdo ushtari, nëpërmjet një algoritmi të veçantë llogarit shkallën e rrezikut të shëndetit dhe klasifikon gjendjen e ushtarëve.

Në hapjen e kësaj punëtorie mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë, Radmilla Shekerinska, e cila theksoi se ky projekt i mbështetur nga NATO tregon se edhe Maqedonia mund t’i ofrojë diçka Aleancës dhe mund të bashkëpunojë në nivel të njëjtë me vendet anëtare të Aleancës.

“Kjo tregon se Maqedonia si shtet është e angazhuar në qëllimin e saj strategjik për anëtarësim në NATO, për shkak se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë vetëm arritje e institucioneve shtetërore, por arritje edhe e komunitetit akademik dhe qytetarëve”, tha Shekerinska, duke shtuar se “anëtarësimi në NATO nuk është vetëm qëllimi ushtarak i Maqedonisë, por është edhe prioritet strategjik politik”.

Ndërsa, dekani i Akademisë Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski”, Orce Popovski tha se ky sistem do të ndikojë dukshëm në rritjen e mundësive për të shpëtuar ushtarët në fushën e betejës, si dhe në planifikimin e evakuimit të duhur, minimizimit të rreziqeve, transportin dhe më pas kujdesin mjekësor.

Në hapjen e punëtorisë u adresuan edhe ambasadori i Sllovenisë dhe Kroacisë në Shkup, Milan Jazbec dhe Danijela Barishiç, të cilët theksuan se NATO nuk do të thotë vetëm zhvillim ushtarak, por ajo zhvillon edhe demokracinë e një vendi, shkencën dhe shumë fusha të tjera me rëndësi të madhe.

Akademia Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski” nga Shkupi, përveç aktivitetit të mësimdhënies, vitet e fundit jep karakteristika të veçanta me pjesëmarrjen e saj në projektet e kërkimeve shkencore.