Botë

Vriten të paktën 30 policë egjiptian

Të paktën 30 policë egjiptian u vranë në një shkëmbim zjarri me militantët në shkretëtirën perëndimore të vendit.

Zyrtarët e sigurisë thanë se policët u sulmuan derisa po kërkonin pjesëtarët e dyshuar të grupit Hasm, i cili mori përsipër përgjegjësinë për disa sulme në Egjipt gjatë vitit të kaluar.

Zyrtarët thanë se tetë pjesëtarë të tjerë të forcave të sigurisë u plagosën gjatë sulmit që ndodhi në qarkun al-Wahat al-Bahriya, rreth 135 kilometra në jugperëndim të Kajros.

Në një deklaratë të ministrisë së Brendshme është konfirmuar sulmi por nuk u dhanë hollësi rreth viktimave. Në të thuhet se një numër militantësh janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Egjipti akuzon grupin Hasm të jetë krahu militant i Vëllazërisë Myslimane, një grup islamik që u shpall i jashtëligjshëm në vitin 2013. Vëllazëria Myslimane mohon një gjë të tillë.

Një kryengritje islamike pasoi rrëzimin nga ushtria të presidentit Mohamed Morsi, nga Vëllazëria Myslimane në vitin 2013.

Kryengritja, në të cilën është përfshirë edhe dega egjiptiane e grupit militant Shteti Islamik, është e përqendruar në veriun e siujdhesës Siani, por sulmet janë zgjeruar përfshirë edhe kryeqytetin, ku sulmuesit vetëvrasës kanë goditur kishat dhe selitë e forcave të sigurisë.