Botë

Dy ish-zyrtarë policorë maqedonas në kërkim, kapen në Selanik

Shkup, 20 tetor – Pas kapjes së dy ish-zyrtarëve policorë të Maqedonisë në Selanik, të cilët kërkoheshin me fletëarrest të kuq, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë ka dorëzuar Njoftimin nga Interpoli–Athinë për Nikolla Boshkovskin dhe Goran Grujevsin deri tek Ministria e Drejtësisë që t’i dorëzojë dokumentet e nevojshme për ekstradim.

Përmes një njoftimi, MPB bëri të ditur se sot pranoi njoftimin nga Interpoli-Athinë për Boshkovskin dhe Grujevskin, të cilët dje u arrestuan në Selanik.

Më herët policia greke konfirmoi për AA se dy nëpunës policorë të MPB-së së Maqeodnisë, 51 dhe 53 vjeç, që kërkoheshin me fletarrest të kuq, janë kapur në Aeroportin Ndërkombëtar “Maqedonia” në Selanik.

Nga atje theksuan se nëpunësit policorë të kërkuar për veprat penale "përgjim të jashtëligjshëm" dhe "pjesëmarrje në organizatë kriminele", mbahen në Drejtorinë Policore të Selanikut për mbajtje të dokumenteve të falsifikuara.

Sipas policisë greke, personat në fjalë janë ndaluar në Selanik për shkak të dokumenteve të falsifikuara.

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, të dy ish-zyrtarë në MPB të Maqedonisë, nga Prokuroria Speciale Publike kërkoheshin për rastin "Fortesa". Ata akuzohen për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim.

Të dy, qysh më 18 korrik kur Gjykata e Apelit u caktoi masë për paraburgim, janë të pakapshëm për policinë duke u fshehur me identitete të rrejshme.