Republika Serbe deklarohet ushtarakisht neutrale me qëllim të bllokimit të anëtarësimit të Bosnjës në NATO Foto: Reuters

Republika Serbe deklarohet ushtarakisht neutrale me qëllim të bllokimit të anëtarësimit të Bosnjës në NATO

18 tetor 2017 13:16

Republika Serbe e Bosnjës të mërkurën është deklaruar ushtarakisht neutrale, veprim të cilin presidenti i saj tha se është hapi i parë drejt një referendumi për anëtarësim në NATO, organizatë kjo aspak e pranueshme për serbët pas fushatave të saja bombarduese më 1995 dhe 1999 në luftërat në Bosnje dhe Kosovë.

Republika Serbe është një prej rajoneve autonome të krijuara në Bosnje pas luftës së saj gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Është e lidhur me Federatën Boshnjako-Kroate përmes një qeverie të dobët qendrore, e cila është përgjegjëse për çështjet ushtarake, raporton Reuters.

Presidenca ndër-etnike boshnjake, qeveria e saj qendrore në Sarajevë dhe Federata e dominuar nga boshnjakët myslimanë dhe kroatët ka kohë që kanë thënë se anëtarësimi në NATO dhe në BE janë prioritete strategjike.

Por serbët e Bosnjës anojnë kah afrimi i raporteve me Rusinë, duke e rreshtuar politikën e tyre me atë të patronit të kohës së luftës dhe aleatit Serbisë ku NATO nuk është aspak e dashur pas fushatave bombarduese më 1999 për të dëbuar forcat serbe nga Kosova dhe pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër rebelëve serbë në Bosnje, transmeton Koha.net.

Presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, nacionalist serb, vazhdimisht ka thënë se afrimi me NATO-n duhet të vendoset përmes një referendumi në Republikën Serbe, ndonëse vendime të tilla mund të merren vetëm në nivel shtetëror sipas Kushtetutës.

“Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe ka marr një vendim për të deklaruar neutralitet ushtarak... në raport me aleancat ekzistuese ushtarake deri në një referendum të mundshëm për të marrë një vendim final për këtë çështje”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta kaloi me një shumicë të ngushtë në orët e para të së mërkurës pas shumë kundërshtimeve nga partitë opozitare serbe për çështje procedurale. Deputetët boshnjakë abstenuan votimin, duke thënë se parlamenti nuk mund të merr vendime për çështje të mbrojtjes.

“Kjo rezolutë nuk është detyruese dhe paraqet vetëm një qëndrim për këtë çështje”, ka thënë analistja politike, Tanja Topiq.

“Mendoj se Republika Serbe nuk mund të vendos në asnjë kapacitet për Bosnjën dhe anëtarësimin e saj në çfarëdo aleance ushtarake apo për ndonjë segment mbrojtës sepse është një entitet brenda shtetit të Bosnjës që është i vetmi autoritet për këto çështje”, ka thënë ajo.

Bosnja ka arritur progres drejt përmbushjes së kushteve për Aksion-Planin për Anëtarësim, që është hapi kryesor drejt anëtarësimit të plotë në NATO, por serbët e Bosnjës i kanë zvarritur kushtet e fundit të mbetura.

Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia më 2008, nëntë vjet pasi bombardimet e NATO-s dëbuan forcat serbe të akuzuara për vrasjen dhe dëbimin e civilëve shqiptarë ndërsa Serbia u përpoq të rrëzonte një kryengritje në Kosovë. Serbia refuzon të njohë pavarësinë e saj.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme