Spanja kremton Ditën Kombëtare nën hijen e krizës së Katalonias

Spanja kremton Ditën Kombëtare nën hijen e krizës së Katalonias

12 tetor 2017 15:48

Spanja po kremton sot Ditën Kombëtare, nën hijen e krizës më të madhe politike që ka përfshirë vendin pas dështimit të grushtit të shtetit katër dekada më parë.

Spanjollët u rreshtuan në rrugët e Madridit me flamuj kombëtarë në duar, ndërsa unionistët e shfrytëzuan paradën ushtarake për të treguar unitetin përballë përpjekjes së Katalonias për të shpallur pavarësinë.

Synimi i këtij rajoni të pasur për t’u shkëputur e ka zhytur Spanjën në njërën prej krizave më të rënda politike që nga përpjekja për grusht shteti e vitit 1981.

Kryeministri Mariano Rajoy lëshoi dje një ultimatum ndaj presidentit katalonas Carles Puigdemont, që deri të hënën të sqarojë në se e ka deklaruar zyrtarisht pavarësinë në rajonin verilindor.

Në se udhëheqësi katalonas e konfirmon shpalljen e pavarësisë, atëhere kryeminsitri spanjoll Rajoy është zotuar se në bazë të nenit 155 të Kushtetutës spanjolle, Katalonias do t’i hiqet statusi i autonomisë së pjesshme dhe në këtë krahinë do të vendoset sundimi i drejtpërdrejtë i Spanjës.

Kryeministri Rajoy ju bashkua Mbretit Felipe i Gjashtë në paradën ushtarake tradicionale që mbahet në Madrid në Ditën Kombëtare të Spanjës, që përkon me mbërritjen në Amerikë të eksploruesit të madh Kristofor Kolombi në vitin 1492.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme