Madridi kërcënon me ndërprerje të autonomisë së Katalonjës

Madridi kërcënon me ndërprerje të autonomisë së Katalonjës

12 tetor 2017 13:08

Madrid, 12 tetor – Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy kërcënoi dje me ndërprerje të autonomisë së Katalonjës duke i kërkuar presidentit separatist të konfirmonte nëse e kishte shpallur apo jo pavarësinë e rajonit të tij.

Gjatë një deklarate të shkurtër televizive, Rajoy urdhëroi Carles Puigdemont të zbatonte ligjin, ndryshe ai do të përdorte për herë të parë nenin 155 të Kushtetutës, që mundëson ndërprerjen e pjesshme apo të plotë të autonomisë së një rajoni.

Ai njoftoi se i kishte kërkuar zyrtarisht presidentit katalanas nëse e kishte shpallur pavarësinë e Katalonjës pas konfuzionit të shkaktuar dje në mbrëmje nga ekzekutivi katalanas.

“Kjo kërkesë është parakusht për çdo masë që qeveria mund të marrë në kuadër të nenit 155”, shtoi Rajoy, i cili ka parashikuar të shprehet para deputetëve në orët e pasdites.

“Nga përgjigjja e presidentit (…) për këtë kërkesë varet vazhdimi i ngjarjeve”, shtoi kreu i qeverisë konservatore duke pritur gjithashtu mbështetjen e Partisë Socialiste, partia kryesore e opozitës.

Ndërprerja e autonomisë, e pazakontë që prej vitit 1934, do të konsiderohet nga shumë katalanas si një përballje dhe mund të shkaktojë trazira në këtë rajon shumë të lidhur me gjuhën dhe kulturën e tij dhe autonomia e të cilit u vendos pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco (1939-1975).

Bashkimi Evropian, tashmë i prekur nga Brexit, po ndjek me shqetësim krizën.

Komisioni Evropian përsëriti me forcë se priste një respektim të plotë të urdhrit kushtetues spanjoll. Parisi, Berlini dhe Roma dënuan karakterin e paligjshëm dhe të papranueshëm të një shpalljeje të pavarësisë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme