Botë

Vladimir Putin dhe Rexhep Tayyip Erdogan - miq të vërtetë?

Turqia është anëtare e NATO-s. Megjithëkëtë ajo blen armë ruse dhe kjo është më se e pazakontë, thekson komenti i DW. A po përvijohet një miqësi e re midis Ankarasë dhe Moskës?

Të dy e ndiejnë veten se i kanë trajtuar në mënyrë të padrejtë. Me të dy Perëndimi sillet rregullisht ftohtë. Të dyve u pëlqen që të paraqiten si burra të fortë dhe në publik e quajnë veten "miq". Ata kanë shumë të përbashkëta, Presidenti i Rusisë dhe i Turqisë.

Javët e fundit u shtuan shenjat, se Vladimir Putini dhe Rexhep Tayyip Erdogani mund të lidhin një partneritet: tregtia e tyre bilaterale po rritet, ushtarakët dhe shërbimet e tyre të fshehta bashkëpunojnë në Siri. Njëkohësisht ata zhvillojnë luftën e vet përkatëse diplomatike me BE dhe me SHBA: Uashingtoni dhe Ankaraja nuk i japin viza palës tjetër. Turqia burgos gazetarë gjermanë dhe veprimtarë të të drejtave të njeriut dhe injoron si protestat nga Berlini, ashtu edhe të drejtën në fuqi. Ushtarë të mbështetur nga Moska luftojnë në Lindje të Ukrainës. Kremlini as nuk pranon të flasë për aneksimin, por kërkon heqjen e sanksioneve perëndimore.

Armiku i armikut tim është miku im?

Meqenëse Putini dhe Erdogani kanë - për t'u shprehur në mënyrë të sjellshme - probleme me Perëndimin dhe me të drejtën ndërkombëtare, çfarë mund të ishte më afër mendsh, se lidhja e një aleance të përbashkët? Për t'ua treguar tamam vendin partnerëve të NATO-s, që bëjnë si të ditur, Erdogani madje vendosi të blejë sistem antiraketor rus – me gjithë protestat e Uashingtonit dhe të Brukselit.

Por çfarë i solli Erdoganit zemërimi i manifestuar publikisht, revoltimi i ekspozuar kundër Perëndimit ose miqësia e supozuar me Rusinë? Asgjë. Politikanët e politikës së jashtme, qoftë në Berlin, qoftë në Uashington tregohen të paimpresionuar nga kërcënimet e Erdoganit se në njëfarë mënyrë ai mund të kalojë në anën tjetër, me marrëdhënie më të mira me Rusinë. Ata besojnë se Erdogani do të qetësohet herët a vonë dhe do t'i vërë interesat e vendit mbi egon e tij.

Sepse, edhe sikur marrëdhëniet me Rusinë të bëhen edhe më të ngushta: ekonomikisht, Turqia nuk mund të fitojë në Moskë as një të dhjetën e asaj që mund të humbasë në Perëndim. Bursa i ndëshkoi menjëherë ashpër manovrat e kthesës në politikën e jashtme të Erdoganit. Rritja ekonomike turke ka kohë që financohet duke shtypur para të reja. Që kur shumë turistë perëndimorë i rrinë larg Turqisë, në pazarin e famshëm të Stambollit mbyllet një stendë pas tjetrës.

Një pamje e ngjashme në Moskë. Edhe nëse ekonomia gjermane po investon atje sërish më fort: tregtia bilaterale është tepër larg nivelit të 2014-ës. Sanksionet kanë efekt.

Koha punon për Perëndimin

Në mundjen me Rusinë dhe Turqinë, koha është në anën e Perëndimit. Sepse edhe kaq i ngushtë nuk është partneriteti midis Rusisë dhe Turqisë. Përkundrazi. Moska është e zhgënjyer, sepse gjatë vizitës së tij në Kiev, Erdogani e quajti Krimenë pjesë të Ukrainës. E sigurtë është: sistemin antiraketor rus Erdogani tani e porositi, por deri tani ka paguar vetëm një pagesë paraprake. Kjo marrëveshje mund të përfundojë edhe pa sukses.

Sepse Presidenti turk e shtrëngon edhe më tej grushtin në xhep, që Rusia ndalon edhe më tej importin e domateve turke dhe të produkteve të tjera. Interesa të kundërta të dyja palët ndjekin edhe në Siri: Moska mbështet Presidentin Assad, Ankaraja kërkon ta rrëzojë. Dikur, Assadi dhe Erdogani qenë miqtë më të mirë, madje i kalonin bashkë edhe pushimet me familjet e tyre. Por që atëherë ka kaluar shumë kohë. Siç venë punët me miqësitë politike.