Nobeli i Paqes, si mesazh politik në një periudhë të pasigurt

Nobeli i Paqes, si mesazh politik në një periudhë të pasigurt

07 tetor 2017 18:25

Çmimi Nobel për Paqen i vitit 2017-të iu dha Fushatës Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Bërthamore (ICAN), ku marrin pjesë 500 organizata nga 100 vende të ndryshme që punojnë për çarmatimin bërthamor. Vendimi shikohet si një mesazh politik në një periudhë pasigurie të lartë gjeopolitike.

Kryetarja e Komitetit Nobel tha se Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Bërthamore po bën një punë jetike.

“Disa vende po modernizojnë arsenalin e tyre bërthamor, si dhe ekziston një rrezik real që vende të tjera të përpiqen të kenë armë bërthamore, siç dëshmon rasti i Koresë së Veriut”, tha zonja Berit Reiss-Andersen, shkruan VOA.

Drejtorja ekzekutive e fushatës ICAN tha se ajo shpreson që çmimi t’u dërgojë një mesazh të qartë fuqive bërthamore.

“Nuk mundet të kërcënohen me shfarosje masive qindra mijëra civilë në emër të sigurisë”, tha zonja Beatrice Fihn.

Një sërë testimesh bërthamore dhe të raketave të Koresë së Veriut gjatë këtij viti kanë tronditur sistemin e sigurisë globale.

Presidenti Donald Trump kërcënoi këtë javë se do t’i japë fund marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, duke e akuzuar Teheranin se nuk ka përmbushur “frymën e marrëveshjes”. Kritikët u frikësohen pasojave.

“Nëse SHBA-ja shndërrohet në një partner të paqëndrueshëm negocimi, mendoj se Koreja e Veriut nuk do të ketë asnjë shtysë për t’u angazhuar në diskutime rreth programit të saj bërthamor”, thotë Paulina Izewicz, e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Dy fuqitë më të mëdha bërthamore, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, janë duke zvogëluar arsenalin e tyre bërthamor, bazuar në Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike të vitit 2010.

“Palët po inspektojnë arsenalin e njëra-tjetrës; po reduktojnë mbushjet bërthamore dhe pajisjet e lëshimit”, thotë Heather Williams, e Kolegjit King të Londrës.

Por, një marrëveshje e Luftës së Ftohtë për Armët me Rreze të Mesme është në një pikë kritike.

“Rusia po dislokon forca ushtarake në shkelje flagrante të marrëveshjes”, thotë Williams.

Komiteti Nobel vlerësoi përpjekjet e organizatës ICAN në mbështetje të Traktatit të OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore të vitit 2017. Megjithëse 127 vende u bënë anëtare të traktatit, asnjë nga nëntë fuqitë e njohura bërthamore nuk e nënshkruan atë.

“Një nga mangësitë e traktatit është se nuk trajton arsyet përse shtetet kanë armë bërthamore. Përse i duhen Pakistanit armët bërthamore? Po Indisë?”, thotë Williams.

Ende po zhvillohet debati ndërmjet çarmatimit apo parandalimit.

“Grupi që mbështet parandalimin e shikon grupin për çarmatimin si ëndërrimtarë idealistë, krejtësisht jo realistë. Ndërsa grupi në favor të çarmatimit i konsideron me mangësi morale mbështetësit e parandalimit. Për pasojë, mendoj se ky çmim Nobel për Paqe nuk do të ndihmojë për ta tejkaluar këtë ndasi”, thotë Izewicz.

Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Bërthamore thotë se marrja e çmimit Nobel për Paqen “rrezaton dritën e nevojshme” përgjatë shtegtimit drejt një bote pa armë bërthamore.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme