Shqetësim në SHBA për arrestimin e punonjësit të konsullatës në Turqi

Shqetësim në SHBA për arrestimin e punonjësit të konsullatës në Turqi

05 tetor 2017 15:56

Shtetet e Bashkuara thonë se janë “thellësisht të shqetësuara” për arrestimin nga autoritetet e Turqisë të një punonjësi lokal të konsullatës amerikane në Stamboll.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, ka raportuar se një gjykatë në Stamboll mbrëmë vonë vendosi për mbetjen në arrest të këtij punëtori, lidhur me akuza për kontakte me klerikun, Fethullah Gulen, me seli në Shtetet e Bashkuara, për të cilin Ankaraja thotë se e ka orkestruar puçin e dështuar të vitit të kaluar.

Ky i punësuar në konsullatën amerikane, të cilin mediat lokale e kanë identifikuar me inicialet M. T., është i akuzuar për spiunim dhe synim për përmbysjen e qeverisë turke, ka raportuar agjencia Anadolu.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e shqetësuar nga arrestimi i anëtarit lokal të personelit”, thuhet në deklaratën e sotme të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Ankara.

“Ne besojmë se këto akuza janë tërësisht pa bazë”, theksohet në deklaratën e ambasadës.

Turqia, tash e sa kohë, i bën presion Uashingtonit për ekstradimin e zotit Gulen.

Fethullah Gulen e ka hedhur poshtë çfarëdo lidhjeje me përpjekjen për puç në Turqi.

Prej fillimit të kësaj jave, në Turqi janë arrestuar 291 njerëz të dyshuar se kanë lidhje me Gulenin, ka raportuar agjencia Anadolu.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme