Danimarka vendos ushtarë në kufirin me Gjermaninë Foto: Reuters

Danimarka vendos ushtarë në kufirin me Gjermaninë

01 tetor 2017 13:25

Danimarka vendosi të premten (29.09) ushtarë të armatosur në kufirin me Gjermaninë. Synohet që ushtarët të përforcojnë kontrollet e policisë që janë akoma në veprim në kufirin me landin gjerman të Schlesëig-Holsteinit afër qytetit të Flensburgut. Kontrollet në kufi filluan në Janar 2016 në kuadër të fluksit të refugjatëve në Evropë.

Zyrtarët danezë thanë, se ushtarët e rinj do të veprojnë në sfond dhe nuk do të marrin pjesë direkt në kontrollin e makinave. Roli i tyre kryesor është të ndihmojnë të transportohen të dyshuarit dhe të ushtrojnë detyra vëzhguese, tha për reporterët Brian Fussing nga njësia speciale e policisë kufitare të jugut të Jutlandit. Ushtarët do të dislokohen fillimisht për tre muaj. Ata nuk do të dislokohen në terminalet e trageteve në Rodby dhe Gedser.

Kontrollet në kufi do të zgjerohen

Në fillim të javës Bashkimi Evropian propozoi një zgjerim të kontrolleve të deritanishme të përkohshme në kufijtë e brendshëm të territorit të BE-së, duke synuar sigurinë. Liria e lëvizjes është principi kyç i projektit evropian, shkruan DW.

Kontrollet kufitare në Gjermani, Austri, Danimarkë dhe Norvegji janë planifikuar të mbarojnë në Nëntor me një limit dy vjeçar për vendet e Shengenit. Në qoftë se do të pranohet plani i ri i Komisionit nga qeveritë e vendeve të BE-së, këto katër vende mund t´i mbajnë kontrollet kufitare edhe për një vit tjetër në qoftë se mund t´i justifikojnë ato me çështje të sigurisë. Komisioneri për çështje të brendshme Dimitris Avramopoulos tha se kërcënimi i migrantëve që vijnë nga Greqia dhe Ballkani Lindor nuk është më një arsye e mjaftueshme për kontrollet kufitare.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme